Një implant dentar i kujdesur mirë mund të zgjasë gjithë jetën. Ditët e para pas ndërhyrjes janë të rëndësishme për një shërim të mirë, ndërsa zakonet e përditshme vendosin sa gjatë do të qëndrojë i shëndetshëm implanti. Ja këshillat që u japim pacientëve tanë te Roma Dental Clinic në Durrës.
24 orët e para
- Kafshoni garzën që ju japim për 30–60 minuta për të ndalur gjakosjen.
- Vendosni akull nga jashtë në faqe (10 minuta po, 10 jo) për të ulur ënjtjen.
- Mos shpëlani fort dhe mos pështyni: mpiksja e gjakut duhet të qëndrojë në vend.
- Shmangni ushqimet dhe pijet e nxehta, alkoolin dhe duhanin.
- Pushoni dhe flini me kokën pak të ngritur.
- Merrni ilaçet e përshkruara saktësisht siç ju është thënë.
Një ënjtje e lehtë dhe pak gjakosje janë normale në 2–3 ditët e para.
Çfarë të hani
Në ditët e para preferoni ushqime të buta dhe të vakëta: supa, pure, makarona të ziera mirë, vezë, kos, peshk, djathë të butë. Përtypni nga ana tjetër. Shmangni ushqimet e forta, krokante ose djegëse dhe frutat me fara të vogla për rreth një javë, ose sipas këshillës së dentistit.
Higjiena pas ndërhyrjes
Nga dita tjetër lani normalisht dhëmbët e tjerë dhe me kujdes zonën e operuar. Përdorni shpëlarësin me klorheksidinë nëse ju është përshkruar. Pas heqjes së qepjeve (zakonisht pas 7–10 ditësh) kthehuni te higjiena normale edhe rreth implantit.
Duhani dhe implantet
Duhani është armiku numër një i implanteve: ul qarkullimin e gjakut në kockë, ngadalëson shërimin dhe rrit rrezikun e humbjes së implantit. Nëse mundeni, lëreni para ndërhyrjes ose të paktën në javët pas saj.
Pas kurorës: kujdesi i përditshëm
Implanti nuk prishet nga kariesi, por mishi dhe kocka rreth tij mund të inflamohen (periimplantit) nëse grumbullohet pllakë. Për ta shmangur:
- lani dhëmbët dy herë në ditë, duke u kujdesur për kufirin mes kurorës dhe mishit;
- përdorni çdo mbrëmje furçë ndërdhëmbore ose fill të posaçëm për implante;
- dushi oral ndihmon shumë, sidomos me ura dhe All-on-6;
- bëni një pastrim profesional dhe kontroll çdo 6 muaj.
Kur të telefononi dentistin
Na kontaktoni menjëherë nëse keni temperaturë, dhimbje që shtohet pas ditës së tretë, ënjtje që nuk ulet, gjakosje të madhe, ose nëse më vonë mishi rreth implantit gjakoset ose kurora lëviz. Telefon dhe WhatsApp: +355 69 357 3900.
Implante dentare në Durrës
Te Roma Dental Clinic përdorim implante Euroteknika dhe DIO dhe planifikim dixhital. Dr. Alket Beja ka përfunduar Masterin në Implanto-protezë në Universitetin La Sapienza të Romës. Çmimet dhe kohët i gjeni në faqen e implanteve dentare. Për dhëmbin sipër implantit përdorim kurora zirkoni. Na kontaktoni për një vlerësim.


